Borrell tregon pritjet e tij nga qeveria e re serbe për vazhdimin e dialogut me Kosovën
Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell ka deklaruar sot se Bashkimi Evropian pret nga Qeveria e re serbe të ndërmarrë me shpejtësi reformat urgjente të nevojshme për pranimin e Serbisë në BE.
“Kjo ka të bëjë veçanërisht me shtetin e së drejtës, i cili qëndron në zemër të procesit të pranimit dhe duhet të jetë në pararojë të përparësive politike të qeverisë së ardhshme, dhe reformave socio-ekonomike, thelbësore për shërimin pandemik pas COVID-19”, është shprehur ai në një komunikatë për media.
Kryediplomati evropian, vendi i të cilit nuk e njeh Kosovën, ka shfaqur pritjet e tij për një angazhimin e plotë të Serbisë në dialogun e lehtësuar nga BE, si dhe në bashkëpunimin rajonal.
“BE është plotësisht i përkushtuar që të vazhdojë të mbështesë procesin e pranimit të Serbisë në BE, si dhe rimëkëmbjen ekonomike pas krizës së koronavirusit, duke përfshirë përmes Planit Ekonomik dhe Investimeve për Ballkanin Perëndimor në vjeshtë”, ka thënë Borrell.