Bordi i ri në KRU Prishtina: Raporti financiar i kësaj ndërmarrje është negativ dhe me humbje
Bordi i përkohshëm i drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, ka shqyrtuar raportin vjetor për 2019 dhe ka hasur në shumë paqartësi rreth punës njëvjeçare, duke e vlerësuar atë si negativ. Madje, bordi ka kërkuar edhe ulje të pagave në këtë kompani, si rrjedhojë e pagave të larta.
Kryesuesi i këtij bordi, Mentor Hyseni tha se raporti financiar i kësaj ndërmarrjeje është negativ dhe me humbje. Ai po ashtu ngriti çështjen e humbjeve teknike, si rrjedhojë e humbjeve të ujit 57 për qind.
Hyseni i ka propozuar menaxhmentit që të ndryshojnë synimet për planifikimin e prodhimit të ujët dhe faturimin, për të zvogëluar humbjet operative e teknike të ndërmarrjes.
Sa i përket investimeve kapitale, Hyseni ka kërkuar sqarime nga menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje për rritjen e shpenzimeve.
“E pashë edhe fjalimin e kryesuesit të Bordit, të kryshefit ekzekutiv dhe thuhet se të gjitha aktivitet janë mbërri, një mend me planifikim janë mbërri, por kemi humbje financiare. S’ka sens. Raporte të tilla nuk kisha dashur as aksionarit t’ia dërgojë. Me thënë që krejt çështjet janë mirë, por po na lypin para se s’ka likuiditet financiar. Unë kisha propozuar, sepse ky raport është i periudhës paraprake, edhe po e ndryshuam ne, nuk është që bëjmë mirë. Por, targetet, indikatorët i kisha ndryshuar. Një çështje tjetër që kam te pjesa e investimeve kapitale, ato janë tejkaluar në dy vjetët e fundit, kjo më bën të kuptoj që nuk janë planifikuar mirë. Nëse investimet kapitale si vlera janë rritë, a i bie që janë rritë projektet, numri i projekteve ose kanë kushtuar më shtrenjtë, sepse janë dy çështje të ndryshme. Nëse është rritur numri i projekteve, ka qenë sukses i ndërmarrjes, ndërsa nëse me të njëjtat projekte janë shpenzuar vlerë financiare më shumë, atëherë i bie që s’kemi qenë efektivë. Në këtë raport duhet të sqarohen këto çështje. Mandej, te pjesa e vjedhjes së ujit, për këtë nuk e kam parë sa kallëzime penale janë bërë”, theksoi Hyseni.
Ndërsa, ushtruesi i detyrës së drejtorit menaxhues në KRU “Prishtina”, Sokol Xhafa para bordit ka arsyetuar humbjet komerciale dhe teknike.
Ai tha se shpenzimet janë më të larta sesa në vitin 2018, për blerje të ujit të pa përpunuar, për shkak të ndikimit të thatësisë. Po ashtu, sipas tij shpenzimet e energjisë janë më të madha në fabrikën e ujit në Shkabaj, ndërkaq se në vitin 2019 numri i të punësuarve ka qenë më i madh.
“Humbjet e ujit për fat të keq në ndërmarrjen tonë janë relativisht të larta, dhe jo vetëm, sepse e dimë që trendët e humbjeve për, fat të keq, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin kanë trendë të larta, por po shpresojmë që me stafin që kemi dhe vullnetit për punë konsideroj do të punojmë shumë për uljen e këtyre humbjeve dhe ngritje të performancës së ndërmarrjes. Në aspektin e faturimit ndërmarrja ka shënuar ngritje prej 1 për qind, normalisht synimet nuk kanë arritur 100 për qind, por mund të themi se ka një trend përmirësimi në aspektin faturimit. Shpenzimet e operimit dhe mirëmbajtjes janë më të larta se sa në vitin 2018 për shkak të disa aktiviteteve që kanë ndikuar në rritjen e tyre. Kemi ngritje te pagat dhe personeli, sepse numri i punëtorëve ka qenë më i madh, se sa në vitin paraprak”, theksoi Xhafa.
Gjatë raportimit para bordit të ri, Xhafa theksoi se sfidë mbetet humbjet e ujit që janë 57 për qind sidomos nga keqpërdorime e ujit nëpër fshatra, teksa shtoi se vetëm në vitin 2019, mbi 54 milionë metra kub ujë janë shpërndarë
Sipas tij, pandemia COVID-19 ka goditur edhe këtë ndërmarrje, por shpreson që këto dëme komerciale të rikuperohen
Në vitin 2018 të hyrat e planifikuara kanë qenë në vlerë 15 milionë e 999 mijë euro, ndërsa në vitin 2019 të hyrat e planifikuara kanë qenë në vlerë prej 15 milionë 840 mijë euro, ndërkaq janë faturuar 14 milionë e 392 mijë e 388 euro, që sipas menaxhmentit ka përmbushje të planit deri në 91 për qind.
Bordi i përkohshëm i drejtorëve të KRU “Prishtina” nuk ka miratuar raportin financiar për 2019, për shkak të ndryshimeve që u kërkuan nga kryeshefi dhe anëtarët.
Kryeshefi ekzekutiv i Bordit, Mentor Hyseni iu dha afat prej 10 ditësh në ndryshimin dhe përpunimin e pasqyrës financiare të ndërmarrjes.
Në rendin e ditë të mbledhjes së sotme ishte edhe trajtimi i pagave në këtë ndërmarrje, ku u tha se ato janë të larta dhe duhet të ulen në mënyrë drastike. Në këtë mbledhje unanimisht u pajtuan që të diskutohet që të ketë një pagë të dinjitetshme dhe konkurruese në tregun e vendit.